U mbajt konferenca shkencore “Arsimi i lartë, masivizimi dhe sfidat e tij drejt integrimit evropian”

Problematikat  dhe dimensionet e reja në të cilat po ecën arsimi i lartë në Shqipëri dhe Kosovë ishte tematika e trajtuar në konferencën shkencore ndërkombëtare “Arsimi i lartë, masivizimi dhe sfidat e tij drejt integrimit europian”,  e  organizuar  nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti AAB.
Përmirësimi  i legjislacionit të arsimit të lartë, rikonceptimi dhe ristrukturimi i kurrikulave të reja shkencore e ndërkombëtare,  hapja  e programeve të reja të studimit në të tre ciklet e studimeve universitare, masivizimi dhe rritja  e cilësisë në mësimdhënie, akordimi i diplomave që ndihmojnë në përballimin e sfidave të tregut të punës, rajonal e global, qasja  drejt universiteteve e shkollave të larta më të mira europiane etj., janë disa nga çështjet parësore ku të dy vendet, Kosova dhe Shqipëria – të përfshirë në proceset europiane të arsimit të lartë dhe në aktet e objektivat që burojnë nga Procesi i Bolonjës – janë duke  punuar fort. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, u zhvillua edhe konferenca shkencore ndërkombëtare “Arsimi i lartë, masivizimi dhe sfidat e tij drejt integrimit europian”, organizuar nga UET dhe Universiteti AAB, Prishtinë, në datat 26-27 tetor, në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës.
“Ideja ka qenë shumë e qartë: së pari të bashkërendojmë përpjekjet dhe forcat, të organizojmë së bashku konferenca të tilla dhe të kalojmë një fazë të re përmes Tiranës dhe Prishtinës, për një treg të përbashkët arsimor, një hap i sigurt drejt proceseve integruese, apo edhe bashkuese, sepse drejt kësaj po shkojmë. Ka një rëndësi të veçantë kjo konferencë, sepse përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë. Qëllimi i kësaj konference është shkëmbimi i mendimeve dhe prezantimi i modeleve të suksesshme ose jo të edukimit. Kjo konferencë me tematikë aktuale, është me interes të gjerë publik dhe zhvillohet në një moment kyç të zhvillimeve për arsimin në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni” –  shpreh rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj.
Pjesëmarrësit në këtë konferencë janë specialistë të shkencave të edukimit nga Kosova dhe Shqipëria.
“Këto ide, këto tema të konferencës, do të mund të merren pastaj nga të dy universitetet si nisje për të hapur debatet për përmirësuar procedura apo harmonizim të legjislacionit mbi arsimin e lartë. Kjo hap shtigje të reja, mundësi të reja për të intensifikuar punën për përparimin e politikave arsimore dhe zhvillimin e arsimit të lartë në përgjithësi në trojet shqiptare” –ishte i mendimit dekani i  fakultetit të  Edukimit në Universitetin  AAB Prishtinë, Vehbi Miftari.
Në çështjet e parashtruara në konferencën shkencore, u shpalos  një panoramë me alternativa të shumta, zhvillimet që ndeshen në Institucionet  e Arsimit të Lartë, publike dhe private në Republikën e Shqipërisë e në Republikën e Kosovës.
Idetë, konceptimet, praktikat, analizat interesante e produktive, do të krijojnë një përfytyrim të ri për të gjithë për rrugën në të cilën është e nevojshme të ecë e të zhvillohet arsimi i lartë, në rrugën e tij drejt masivizimit e cilësisë, si një arsim që është i pandarë nga rruga e zhvillimit të tij në Europë, në ShBA etj. “Arsimi  lartë në vitet e fundit ka ndryshuar rrënjësisht, çështje që diskutohen si çështje e ditës, para shatë vitesh nuk diskutoheshin fare. Nga kuadri ligjor te ndryshimet  përmbajtjesore, po ashtu ndryshimet që kanë të bëjnë me metodologjinë në auditorë dhe kërkimin shkencor.
Një  prej faktorëve të rëndësishëm që kanë sjellë ndryshim është hyrja e sektorit privat dhe praktikat e reja në mësimdhënie. Si edhe pranimi i  metodave, perspektivave nga njëra disiplinë e shkencave sociale në tjetrën dhe fusha e edukimit, nuk përbën përjashtim”- tha zv.rektorja për Kërkimin Shkencor dhe Metodologjinë në UET, Odeta Barbullushi.
Konferenca shkencore “Arsimi i lartë, masivizimi dhe sfidat e tij drejt integrimit europian”, synon  të japë një ndihmesë cilësore për zhvillimin cilësor e produktiv të arsimit të lartë në Kosovë dhe në Shqipëri, për një arsim të lartë paneuropian dhe për një diplomim cilësor të studentëve në të tre ciklet e studimit universitar.