Në AAB-Riinvest u inaugurua fillimi i programit të franshizës së Universitetit Staffordshire

Në AAB-Riinvest u mbajt sot ceremonia solemne e fillimit të programit të franshizës së Universitetit Staffordshire nga Britania e Madhe. 
Ky program, i cili është i pari i këtij lloji në Kosovë u ofron studentëve mundësinë që të marrin diplomë nga Britania e Madhe.


Rektori i Universitetit AAB-Riinvest, Lulzim Tafa, tha se kjo ditë shënon një arritje të madhe jo vetëm për Universitetin AAB-Riinvest por për gjithë arsimin e lartë në Kosovë. Ai gjithashtu foli edhe për sukseset e tjera dhe standardet që ofron ky universitet.


Në emër të Universitetit Staffordshire këtë solemnitet e përshëndeti Drejtori i Hulumtimeve dhe Ndërmarrësisë të Bussines School, James O’Kane, i cili tha se programet që ofrohen nga Universiteti Staffordshire në bashkëpunim me AAB-Riinvest janë drejtimet “Menaxhim Biznesi” dhe “Menaxhim Biznesi dhe Ndërmarrësi”. “Këto programe janë të standardeve ndërkombëtare dhe se diplomat e lëshuara njihen ndërkombëtarisht” theskoi z. O’Kane.


Ndërkaq profesor Muhamet Mustafa, udhëheqës i programit të franshizës, në fjalën e tij hyrëse foli mbi historikun e bashkëpunimit afatgjatë ndërmjet dy institucioneve tona dhe për projektin më të ri të programit të franshizës.

 

Studimet në këto programe zhvillohen në gjuhën angleze në formatin e njëjtë që ofrohen në Angli. Studentët e këtyre programeve do të kenë qasje në burimet elektronike të Universitetit Staffordshire. Universiteti Staffordshire monitoron cilësinë e këtyre programeve përfshirë mësimdhënien dhe vlerësimin. Studentët gjithashtu kanë mundësinë që të vazhdojnë studimet e tyre në Angli në përfundim të cilitdo semestër apo vit akademik. Pas përfundimit të suksesshëm të studimeve, të cilat zgjasin tri (3) vjet,  studentët do të marrin diplomën Bachelor të lëshuar nga Universiteti Staffordshire në Angli.


Ceremonia e sotme u shoqërua me një program artistik të ekzekutuar nga pijanistja e njohur Lule Elezi, flautistja Marigona Çerkezi dhe mezosopranoja Besa Llugiqi.

  

Gresa Shala