Gjuhë Angleze
Ky është një program unikat dhe krejt i veçantë që për herë të parë
organizohet në Kosovë, ndërkohë që as në rajon nuk ka një program
studimesh të nivelit bachelor i cili përgatit ekskluzivisht përkthyes.
Në kohën kur Kosova dhe Shqipëria janë në fazën përfundimtare në synimet
e tyre për integrime evropiane, më shumë përkthyes të kualifikuar do të
jenë të domosdoshëm për të përmbushur kërkesat institucionale të
Kosovës, të Shqipërisë dhe të institucioneve evropiane.
Misioni i këtij programi studimesh është pikërisht ky përgatitja e
kuadrove të domosdoshme për proceset aktuale nëpër të cilat po kalon dhe
pritet të kalojë Kosovë. Së këndejmi, ky program, vërtet përgatit
kuadro për të ardhmen dhe është ndër programet me më së shumti
perspektivë dhe më atraktive për tregun.
Kërkesa në tregun e punës për përkthyes të mirë nga anglishtja në shqipe
dhe anasjelltas është aq e madhe, saqë qysh sot do të mund të
punësoheshin me qindra të tillë.
Gjuha angleze, si gjuhë globale, është aktualisht pothuajse gjuhë e dytë
në Kosovë. Në të ardhmen, ajo do të jetë e tillë edhe më shumë, si
rezultat i zhvillimit dhe rritjes së saj politike, shoqërore, ekonomike,
tregtare, kulturore e arsimore, diplomatike, sportive, teknologjike.
Nevoja për të komunikuar me vendet, organizatat dhe institucionet e
ndryshme rajonale e botërore, me të cilat Kosova ka dhe do të ketë
marrëdhënie të mira në çfarëdo fushe veprimi qoftë, është e
pashmangshme.
